Bashkimi Demokratik për integrim e ka dënuar incidentin të cilin e kanë cilësuar si “skandaloz diplomatik në aeroportin e Shkupit ndaj presidentës së Republikës së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani”.
Sjellja e tillë ndaj presidentes Osmanit, sipas BDI-së, është e papranueshme.
“Kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër”, thuhet në reagim.
Skandaloze, sipas BDI-së, është edhe përfshirja e anëtarit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
“Involvimi i shefit të sigurimit të kryetarit jolegjitim të Kuvendit Afrim Gashi në incident, duke e thelluar atë, pa patur asnjë kompetencë, pa qenë të thirrur dhe pa të drejtë, është gjithashtu skandaloz dhe flet zëshëm për gjendjen e mjerueshme dhe vazale në të cilën është përfaqësimi jolegjitim shqiptar në qeverinë monoetnike”, thuhet në reagim.
Për situatën e krijuar e kanë akuzuar edhe koalicionin VLEN.
“Humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare pranuan rolin e të nënshtruarit dhe servilit, vetëm për të qenë në pushtet për veten e tyre, duke lënë në mëshirën e VMRO DPMNEsë, fatin e shqiptarëve në vend dhe në rajon. Mungesa e legjitimitetit, por edhe e dijës dhe guximit, të bën të turpërohesh para qytetarëve dhe para motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Vashington e Bruksel”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Situata e krijuar, sipas BDI-së, kërkon përgjegjësi politike dhe ligjore.
“Mohimi i incidentit nga zëvendësministri i punëve të brendshme, Astrit Iseni, involvimi i paligjshëm dhe anarkik i sigurimit personal të Gashit që nxiti incident edhe më të madh, nuk guxojnë të kalojnë pa përgjegjësi politike bashkë me përgjegjësinë ligjore të të gjithë të involvuarve në këtë skandal diplomatik”, thuhet në reagim.