Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar pas incidentit ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, duke kritikuar BDI-në për mungesën e kulturës politike dhe arrogancën e treguar.
Mexhiti ka thënë se BDI-ja po përpiqet të krijojë kriza artificiale për të minimizuar arritjet e qeverisë, si lirimi i ish-ushtarit të UÇK-së nga paraburgimi.
Ai ka theksuar se institucionet reaguan menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin në aeroport dhe presidentes Osmani i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime.
“Dëshiroj t’ju siguroj të gjithëve se institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit gjatë ditës së djeshme dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime. Keqkuptimi i shkaktuar mes MPB, TAV dhe sigurimit tëpresidentes është sqaruar”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, incidenti u tejkalua pa komplikime dhe pasoja.
“Gjatë ditës së djeshme u lirua nga praburgimi ish ushtari i UÇK-së. Ne po punojmë intensivisht që shumë shpejt ai të kthehet në shtëpi. Duke e ditur këtë, BDI duhej të prodhonte një krizë tjetër artificiale që të minimizohet fakti se ish-ushtari i UÇK-së u lirua nga paraburgimi si rezultat i punës tonë në institucione. Sepse për një parti parapolitike e cila institucionet i ka trajtuar si instrument për ushtrim dhune dhe frikësimi dhe i ka parë ato si mekanizëm për pasurim, për një strukturë me mendësi komuniste, secili keqkuptim, sado i vogël të jetë ai, është një shans për të shkaktuar incident, vetëm e vetëm që ata të provojnë të rikthehen në pushtet”, thuhet tutje në reagimin e tij.
Mes tjerash, ai i ka bërë thirrje BDI-së të tregojë “seriozitet dhe pjekuri politike dhe të sillet si opozitë konstruktive”.
“Trajtim jodinjitoz për presidenten Osmani”, MPJD pret sqarime zyrtare nga Maqedonia e Veriut