Vdes një grua nga Graçanica, pas plagëve që ia shkaktoi bashkëshorti

Një grua nga Graçanica e nacionalitetit serb ka vdekur të premten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo ishte dërguar dy ditë më parë në QKUK në gjendje të rëndë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj

Graçanica, foto ilustrim.

Një grua me inicialet M.Zh., nga Gushterica e Poshtme e Komunës së Graçanicës, ka ndërruar jetë më 2 gusht në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi burri i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Qendrës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla.

“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë mbrëmjen e 31 korrikut.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se bashkëshorti i saj me iniciale D.Zh. është ndaluar dhe se ka nisur hetimet për këtë rast.

Aktivistja për të drejtat e grave dhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo” nga Graçanica , Milica Stojanoviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se institucionet kanë dështuar sërish kur është fjala për dhunën ndaj grave.

“Ky përfundim tragjik ka ardhur pikërisht sepse institucionet nuk janë marrë sa duhet me këtë problem. Më e keqja është se institucionet ende heshtin. Policia është përgjigjur me kohë, njeriu është dërguar në mbajtje, por varet edhe nga institucionet tjera se çfarë do të ndodhë”, tha Stojanoviq.

Ajo tha se janë institucionet vendore ato që duhet të punojnë për fuqizimin e grave për të denoncuar në kohë dhunuesin dhe se institucionet e drejtësisë duhet të vendosin dënime më të rrepta për dhunuesit.

“Që të mos lirohen dhunuesit me gjobë, dhunuesi nuk duhet të lirohet asnjëherë 24 apo 48 orë pas ushtrimit të dhunës”, nënvizon ajo dhe shton se në raste të tilla duhet të reagojë edhe shoqëria, sepse dhuna nuk është kurrë “çështje private”.

Gjatë muajit prill, dy gra u qëlluan nga burrat e tyre brenda pak ditësh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më pas u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, shoqërisë civile, qytetarëve, grave dhe burrave që të punojnë së bashku për të ndalur dhunën me bazë gjinore, “e cila njollos vendin tonë dhe që mund ta shkatërrojë atë nga brenda”.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. / Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika