Incidenti i Osmanit në Shkup, provokim apo pakujdesi e autoriteteve?

Presidentja Vjosa Osmani një ditë më herët ka pasur një problem në aeroportin e Shkupit, ku sigurimi ka tentuar t’ia marrë telefonin personal. Kjo është cilësuar si skandal diplomatik nga politikanët e të dyja vendeve, derisa është kërkuar zbardhje e rastit. Versioni i aeroportit ishte se Osmani nuk kishte qenë mysafire e Maqedonisë së Veriut, andaj sipas tyre, i është kërkuar telefoni që ajo të kalonte për t’u skanuar.

Presidentja Vjosa Osmani

Kaq qetë nuk kaloi në aeroportin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani një ditë më parë.

Sipas këshilltarit të saj për media, Bekim Kupina, sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes.

“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka thënë Kupina.

Megjithatë, pala maqedonase ia ka marrë presidentes çantën personale të dorës.

Për këtë reagoi menjëherë edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, që tha se një nga pjesëtarët e sigurimit të Presidentes ka ndërhyrë me qëllim që ajo të kalonte pa e skanuar telefonin dhe bagazhin e dorës.

Pak më ndryshe ishte versioni i aeroportit që reagoi dy herë për këtë rast.

“Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike i përjashton nga kontrolli i sigurisë vetëm mysafirët zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe operatori i aeroportit merr njoftim zyrtar për përjashtime të tilla nga Ministria e Punëve të Brendshme. Udhëzimet që ka marrë Departamenti ynë i Sigurisë nga Departamenti për Mbrojtjen e Disa Personave dhe Objekteve thonë qartë se anëtarët e delegacionit duhet t’i nënshtrohen një kontrolli standard të sigurisë në përputhje me procedurat e përcaktuara”, thuhet në reagimin e aeroportit të Shkupit.

Meqë Osmani këtë fluturim e kishte transit, ish-diplomati kosovar Blerim Canaj tregon, se cilat janë procedurat që duhet ndjekur në raste të tilla.

“Nëse presidentja kalon atje si transit atëherë lajmërohet ambasada e Kosovës, që do të kaloj presidentja, jepet ora, fluturimi për ku duhet të shkoj, dhe vazhdon me procedura tjera”, ka thënë Canaj.

Për incidentin Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka nisur mbledhjen e informatave dhe ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

Por, analisti politik Albinot Maloku nuk e hedh poshtë mundësinë që ky rast të ketë prapavi politike.

“Transferimi i pushteteve në Maqedoninë e Veriut ku dihet mirëfilli se ndikimi i Serbisë është i madh në qeverinë e re, duhet të tërhiqet vëmendja dhe të ketë kujdes maksimal”, ka thënë Maloku.

Pas këtij rasti pati shumë reagime, përfshirë udhëheqësit shqiptarë të institucioneve në Maqedoninë e Veriut dhe përfaqësues politik atje, duke e vlerësuar rastin si incident skandal diplomatik.

Kurse për rastin ende nuk kanë reaguar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika