Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë arrestuar pesë persona nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës ndaj viktimave civile shqiptare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit me inicialet, D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh dyshohet se në prill të vitit 1999 në disa fshatra vranë, plagosën, dogjën, rrëmbyen, dhunuan, maltretuan e torturuan civilët shqiptarë dhe se kanë kryer një sërë dëmesh të tjera në objekte si dhe dëbimin e popullatës.
Aksioni është realizuar nga Prokuroria Speciale dhe Policia, pas një hetimi disamujor.
“Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.