Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar gjatë ditës së djeshme [ e diel] në Kosovë, i cili dyshohet për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 [dy] eurosh.
Sipas njoftimit, në Maqedoni të Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme dhe janë sekuestruar makineri për prodhimin e parave të falsifikuara, shabllone parash dhe material të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë edhe lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Ky aksion është zhvilluar në mes të autoriteteve kosovare, si Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, e në anën tjetër Prokuroria Themelore në Shkup si dhe Policia e Maqedonisë së Veriut.
Ky veprim i përbashkët i autoriteteve kosovare dhe atyre të Maqedonisë së Veriut “vjen pasi gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën Euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik”.
Sipas njoftimit, këto lëndë janë bërë pjesë e hetimit ndërkombëtar dhe ishte krijuar ekipi i përbashkët hetimor [EPH] i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe nga Prokuroria Themelore në Shkup si dhe Policia e Maqedonisë së Veriut.
“Me datë 4 Gusht 2024 në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 (dy) Euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione. Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 (dy) Euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë”, vijon njoftimi.
Sipas njoftimit zyrtar, ky operacion është mbështetur edhe nga Europol-i dhe Eurojust/WB Crim Just Project.
“Prokuroria Special e Republikës së Kosovës (PSRK), së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (PK/DHKEK), gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën Euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik.
Rrjedhimisht, këto lëndë penale ishin bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtar, pas të cilave ishte krijuar Ekip i Përbashkët Hetimor (EPH) i përbërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës nga njëra anë dhe Prokuroria Themelore në Shkup dhe Policia e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër”, thuhet në njoftim.
Autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbesin plotësisht të përkushtuara në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar krimet që atakojnë tregun financiar, dhe për zhvillimet e tjera do të njoftojnë publikun në kohë.