Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka treguar se pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP se në teritorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licensë dhe të paregjistruar në ARBK, njësi policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni.
“Informacioni ka rezultuar te jetë i saktë me ç’rast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit. Pas verifikimit të gjendjes faktike në këto objekte kemi ardhë në përfundim se nuk kanë licenca dhe nuk janë të regjistruara prandaj në konsultim me Prokurorin edhe janë mbyll për hetim të mëtejm nga Drejtoria kundër Krimeve Ekonomike,” njofton Elshani.
Elshani bëri të ditur se janë mbyllur gjithsej 9 operatorë ekonomikë, 3 në Mitrovicë të Veriut, 3 në Leposaviq, 2 në Zveçan dhe 1 në Zubin Potok.
Në njërin lokacion më saktësisht në Leshak, Elshani thotë se kanë ndaluar dy persona, të cilët janë dërguar në stacion të Policisë në Leposaviq, “atyre iu janë shqiptuar tiketa për mospërfillje të urdhërit të Policëve dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.”
“Nuk ka pasë ndonjë problem, një rast në Leshak e kemi marrë dy persona i kemi dërgu në stacion policor, për arsye se kanë qenë të dehur dhe kanë bërë prishje të rendit dhe qetësisë publike, mirëpo operacioni komplet ka kaluar i qetë,” ka thënë Elshani në “FIVE”.