Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë që është absurde të ndërpritet seanca, sepse nëse ishte dashur të ketë dialog për pagë minimale, do duhej të bëhej në seancën e së hënës, kur është votuar në parim projektligji për pagën minimale.
“E bëra një propozim të qartë e të saktë, zyra ime do të kontaktojë organizatat e dala nga lufta për takim nesër. Nëse thua vetëm sot, vetëm tash, kjo do të kishte kuptim të hënën, që ka kaluar në lexim të parë Projektligji që e ka rritur pagën minimale, sot është absurde”, ka thënë Kurti.
E për këtë ka replikuar deputeti i AAK-së, Bekë Berisha duke i thënë “Tregona orën kryeministër”, sepse nuk mund të zvarritet ky takim dhe sipas tij duhet të bëhet sot.
Në fjalën e tij, Berisha i është drejtuar me replikë, kryeministrit Albin Kurti duke i thënë se “20 veteranë janë më të zotë se krejt Jugosllavia jote që ta qesin votën”.
Sipas tij, nuk është problem financiar, puna e veteranëve.
“Kryeministër, nuk është problem financiar puna e veteranëve. Ti çohesh e tregon se sa para harxhohen për veteranët. Asnjë sukses nuk e ke bërë për vendin, asnjë punë nuk e ke kryer. Ti kryeministër, me këto veprime ki me na kthy në pellgun e urrejtjeve”, ka thënë ndër të tjera deputeti i AAK-së.
Ndërsa Kurti ka replikuar duke thënë se “Kjo për besimin tim tregon që duhet të më shtyjë në një ekstrem ku kurrë nuk kam qenë në mënyrë që të më kritikojë, kjo tregon që nuk mund të më kritikojë por duhet të shpif diçka për mua që të më kritikosh”.
Kurti ndër të tjera ka shtuar, se propozimi është konkret, prandaj ai ka ftuar veteranët që takohen nesër me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Armend Muja, kryetar i komisionit për Buxhet dhe Financa, që të diskutojnë për pagën minimale.
Ndërkaq, seanca është ndërprerë sërish, deputetët kanë shkuar në një pauzë të dytë njëorëshe.