Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar për aksionin policor në veri, ku u mbyllën 9 degë të Postës së Serbisë.
Në reagim, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e zhgënjyer për veprimet, siç i quan, të njëanëshme e të pakoordinuara nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria amerikane është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme, të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postave serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë në rrezik më të madh qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë pa qenë nevoja tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar,” thuhet në njoftim.
Ambasada ka kërkuar nga qeveria që të ndërpriten “veprimet e mëtejshme të njëanshme” dhe që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.