Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka kritikuar BE-në pas reagimit në lidhje me aksionin në veri të Policisë së Kosovës që mbylli nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, duke thënë se gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik sesa në përqendrimin në çështjet qëndrore të këtij procesi.
Sipas Bislimit, dialogu në Bruksel do të duhej të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit nga ana e Serbisë.
“Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta, por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale”, ka deklaruar Bislimi.
Bislimi tutje ka thënë se Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe si e tillë parimisht nuk do duhej të tolerohej as nga BE-ja.
“Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu dhe prishjen e konkurrencës. Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo assesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, ka vijuar Bislimi.
Tutje, ai ka thënë se Republika e Kosovës punon çdo ditë që t’i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian, duke e dëshmuar këtë edhe me aksionin e djeshëm në veri.
“Republika e Kosovës punon çdo ditë që t’i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t’i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre”, duke theksuar se “Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend”.
Zv.kryeministri ka theksuar se “Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Republikën e Kosovës dhe se kjo “do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”.