Avokati Meshar Selimaj, në lidhje me plagosjen e gruas nga burri i saj në Fushë-Kosovë, ka fajësuar gjykatën se pse ka refuzuar kërkesën për lënien e të dyshuarit në arrest shtëpiak kur ai ka qenë recedivist.
Në emisionin “FIVE”, Selimaj ka thënë se duhet të shikohen rrethanat objektive dhe subjektive dhe te motivi që ka çuar deri te kryerja e kësaj vepre penale.
“Është gabimi i gjykatës që të mos e lë në arrest shtëpiak një recidivist”, ka deklaruar Selimaj.
Ai ka theksuar se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet të rezervohet nga deklaratat kur të merren vendime të tilla, pasi sipas tij, kjo ndikon në punën e gjyqësorit.
“Ministrja e Drejtësisë të rezervohet nga deklaratat e tilla pasi ndikon në dobësimin e imazhit të punës së gjyqësorit dhe funksionimit brenda për brenda, ata ndikohen për shkak të fjalëve të politikanëve dhe nga presioni i mediave”, ka vijuar ai.
Ndërkaq, avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se nëse viktima ka pasë urdhërmbrojtës atëherë ka qenë detyrë e Policisë së Kosovës mbikëqyrja e saj.
Smakiqi ka thënë se ndonëse politikat ndëshkimore janë ashpërsuar shumë kohëve të fundit për rastet e dhunës në familje, masat paranduluese nuk janë në fuqi.
Ndërkaq aktivistja, Anita Mjeku ka thënë se në këto raste ka dorë edhe shteti.
“Vrasja e grave është hallka e fundit e dhunës sistematike që u ushtrohet grave cdo ditë prej partnerëve, natyrisht se këtu ka dorë shteti, na jemi tu jetu në një shoqëri patriarkale ku burrat shihen ma superiorë ndaj grave, shoqnia ju ka jep një të drejtë me ushtru dhunë fizike ndaj grave se ashtu u thotë tradita që vazhdimisht thirren në to”, ka deklaruar Mjeku.
Sipas saj, ende nuk ka hapa konkretë që Kosova të jetë “vend i sigurt për gratë e madje as shtëpitë e tyre tashmë”.
“Nuk kemi pa hapa konkretë për me e bo Kosovën dhe shtëpitë e tyre vend të sigurt për to”, ka vijuar Mjeku.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka sqaruar sot se i arrestuari për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, atë të “mbajtjes në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “mospërfillje të gjykatës”.
Ndaj të njëjtit është lëshuar aktvendim mbi ndalim.
Sipas prokurorisë, i dyshuari katër ditë më parë, pra më 2 gusht, ishte ndaluar për shkak se dyshohej se kishte kryer veprën penale “dhunë në familje”.
Dy ditë më pas, Prokurori i Shtetit, sipas njoftimit, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe kishte kërkuar që t’i caktohej masa e paraburgimit.
“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha po ashtu se Gjykata kishte refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, “ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”.
“Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, një grua është plagosur me armë zjarri nga burri i saj në Bresje të Fushë Kosovës mëngjesin e 6 gushtit dhe e njëjta është dërguar për tretman në QKUK.
Nga Policia e Kosovës thanë se informacionin për plagosje me armë zjarri e morën në orën 07:30 të së martës.
“Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
E plagosura është duke u trajtuar në Klinikën e Emergjencës në Prishtinë dhe sipas drejtorit të kësaj qendre, Naser Syla, ajo është në gjendje stabile.