Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen shtetërore të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të martën në Prishtinë për ekipin olimpik të Kosovës pas kthimit nga Parisi, ka thënë se populli i Kosovës u është mirënjohës përjetësisht xhudistëve që kanë fituar medalje olimpike.
Gjatë fjalimit të tij, shefi i ekzekutivit ka shprehur krenari dhe gëzim për arritjet e ekipit kosovar, teksa ka theksuar se xhudistët e Kosovës simbolizojnë “disiplinën dhe përkushtimin”.
Sipas Kurtit, dikur dukej imagjinare fitorja e Kosovës përballë fuqive të mëdha në sport, por sot kjo është realitet.
“Ekipi ynë i xhudos arriti ta mbajë traditën tonë si shtet për të fituar medalje olimpike në secilën olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash. Në emër të të gjithë qytetarëve, kam nderin t’iu përgëzoj dhe t’iu uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj. Ky vend të cilin e bëtë krenar, do ta mbajë gjithmonë rrugën tuaj të hapur për të shkuar drejt sukseseve. Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, por tani ky është realitet. I gjithë ekipi olimpik vazhdoni të punoni, sepse ëndrrat e mira asnjëherë nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.
Kurti ka falënderuar gjithë ekipin e xhudos, përfshirë trajnerët Driton Kuka e Majlinda Kelmendi.
“Jemi para jush me një ekip të shkëlqyer kampionësh, që na bën krenar anë e mbanë kudo që shkon, nga Rio në Tokio e nga Tokio në Paris. Prijës të sukseseve tona në Olimpiadën e Parisit ishin dy xhudistet tona, Distria Krasniqi e Laura Fazliu. Me shumë punë e me më shumë displinë e gjithnjë me përkushtim, ekipi jonë i xhudos arrit që ta mbajë traditën si shtet për të fituar medalje olimpike në secilën olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash”, ka theksuar Kurti.