Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, e ka pranuar zyrtarisht ftesën për takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
OVL- UÇK është ftuar të premten në takim nga ora 09:00.
Në takim i pret kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.
Ndërsa, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ku po qëndrojnë edhe më tutje veteranët, OVL- UÇK, po diskutojnë për takimin e nesërm me Kurtin.
Ata nuk janë larguar nga protesta, pa u ndërprerë seanca që pritet të vazhdojë gjatë kësaj pasdite.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendit e Kosovës, ka thënë se është i gatshëm që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës dhe të diskutojë me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së për të gjetur një zgjidhje.
Ai ka thënë se është pro dialogut për të diskutuar me veteranët e luftës.
“Ajo që po propozoj sot, është të anuloj takimin e nesërm në Forumin e Prespës. Ftoj veteranët e luftës për të marrë pjesë në takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati, me deputetin Armend Muja, dhe të diskutojmë për këtë çështje”, ka thënë Kurti.
Veteranët e luftës kanë protestuar duke shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre, protesta po zhvillohet në mënyrë të qetë.