Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Avdullah Hoti, ka thënë se hulumtimi i ri nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, të publikuar para disa ditëve, e konfirmon shqetësimet e ngritura nga kjo parti.
Hoti, përmes një postimi në “Facebook”, deklaroi se sipas këtij hulumtimi, qytetarët gjithnjë e më pak mendojnë se janë të lirë t’i shprehin mendimet e tyre, situatë kjo, sipas tij, e krijuar nga sulmet e militantëve dhe zyrtarëve të mazhorancës ndaj analistëve, gazetarëve dhe opozitës.
“Dështimi më i madh i Qeverisë është në “përmbushjen e premtimeve elektorale”, në secilin sektor, sido që të matet, as për së afërmi nuk janë përmbushur premtimet, me të cilat, Kurti dhe Osmani kanë marrë besimin e qytetarëve në vitin 2021”, vijon Hoti.
Sipas Hotit, tri problemet më të mëdha të shoqërisë kosovare janë inflacioni, papunësia si dhe kujdesi shëndetësor.
“Tri problemet më të madha janë: inflacioni, papunësia dhe kujdesi shëndetësor. Lidhur me gjendjen e ekonomisë, 69% të qytetarëve nuk janë të kënaqur”, shkroi Hoti.
Tutje, Hoti tha se sipas këtij hulumtimi, 60 për qind e qytetarëve thonë se çmimet e ushqimeve janë të larta dhe korrupsioni është i lidhur me qeverinë.