Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, ka bërë të ditur se gjendja e gruas që u plagos të martën nga burri i saj në Fushë-Kosovë është stabile.
Kolgeci, në një përgjigje për Portali Dukagjini, ka thënë se e plagosura ka pasur lëndime në krahun e majtë, në kokë dhe bark, por më të rëndat kanë qenë ato në regjionin e toraksit të majtë.
“Kiriurgjia Torakale ka bërë një intervenim kirurgjik që ka qenë i nevojshëm dhe mandej ajo është transferuar në klinikën tonë për trajtim më të mëtutjeshëm. Gjendja e pacientit për momentin është stabile dhe besoj se kjo gjendje do të vazhdojë. Lëndimet i ka pasur në krahun e majtë, që është lëndim më i vogël, në kokë, në bark. Por, ajo që është më e rëndë ka qenë në regjionin e toraksit të majtë”, ka deklaruar Kolgeci.
Ndryshe, një grua është plagosur me armë zjarri nga burri i saj në Bresje të Fushë-Kosovës mëngjesin e 6 gushtit dhe e njëjta ishte dërguar për tretman në QKUK.
I dyshuari, në këtë rast burri i së plagosurës është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte sqaruar se i arrestuari për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, atë të “mbajtjes në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “mospërfillje të gjykatës”.
Ndaj të njëjtit është lëshuar aktvendim mbi ndalim.
Sipas prokurorisë, i dyshuari katër ditë më parë, pra më 2 gusht, ishte ndaluar për shkak se dyshohej se kishte kryer veprën penale “dhunë në familje”.
Dy ditë më pas, Prokurori i Shtetit, sipas njoftimit, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe kishte kërkuar që t’i caktohej masa e paraburgimit.
“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhej në njoftim.
Prokuroria tha po ashtu se Gjykata kishte refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, “ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”.