Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulash, u takua në Beograd me shefin e ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, për të diskutuar gjendjen e sigurisë në Kosovë, në një 'periudhë tensioni' dhe kundërshtimesh të vazhdueshme për veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq (majtas) e pret në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, në Beograd, Serbi, 8 gusht 2024.

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, tha ushtria serbe.

Në një komunikatë për media, Forcat e Armatosura të Serbisë thanë se ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.

“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në provincë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë referuar veriut të Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ata u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet “bashkëpunimi i mirë”, duke e parë se gjendja e sigurisë në Kosovë “është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme”, sipas njoftimit.

Takimi i tyre vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe. Ditë më parë, autoritetet kosovare i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Veprimet e Kosovës janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i kanë cilësuar ato si të “njëanshme”.

Ndërkohë, pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës mbi Ibër, pas paralajmërimit të autoriteteve kosovare se do ta bëjnë një gjë të tillë.

Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Të mërkurën më herët, KFOR-i paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika