Anulohen koncertet e Taylor Swift në Vjenë pas arrestimit të një simpatizanti të IS-it

Taylor Swift

Organizatorët kanë anuluar tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift, në Austri, pas arrestimit të një simpatizanti të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në lidhje me planifikimin e një sulmi, thanë organizatorët.

Autoritetet më herët gjatë të mërkurës kishin konfirmuar arrestimin e një 19-vjeçari, simpatizant të një grupi të armatosur, pas dyshimeve për planifikim të një sulmi në rajonin e Vjenës, duke paralajmëruar se ai kishte në “fokus” tri koncertet që ishte paraparë të mbante Swift.

“Me konfirmimin nga zyrtarët qeveritarë për një sulm të planifikuar terrorist në Stadiumin Ernst Happel, ne nuk kishim zgjidhje tjetër përpos që të anulonim tri koncertet e planifikuara”, njoftoi përmes Instagramit Barracuda Music.

Organizatorët shtuan se do të rimbursohen të gjithë personat që kishin blerë bileta. Afër 65.000 persona pritej të merrnin pjesë në çdo koncert të këngëtares Swift që ishin planifikuar të mbaheshin të enjten, të premten dhe të shtunën.

Personi i arrestuar, që “javët e fundit” ishte zotuar për besnikëri ndaj IS-it, u arrestua në një vend rreth një orë nga Vjena, tha shefi kryesor i sigurisë në vend, Franz Ruf.

Ruf tha gjatë një konference për media se 19-vjeçari kishte në fokus koncertet e këngëtares amerikane në Vjenë.

Në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet austriake gjetën substanca kimike. Ndërkaq, një person tjetër që besohet se kishte kontaktuar me të dyshuarin është arrestuar në Vjenë.

Sipas hetimit fillestar, të dy të dyshuarit ishin radikalizuar në internet.

Këngëtarja 34-vjeçare, Taylor Swift po zhvillon turneun e saj “Eras”, që në Evropë nisi në maj, me koncerte në Paris.

Pas Francës, turneu vazhdoi në Suedi, Portugali, Spanjë, Mbretëri të Bashkuar, Irlandë, Holandë, Zvicër, Itali, Gjermani dhe Poloni. Ky turne, në secilën ndalesë, ka pasur ndikim të madh në ekonomitë lokale.

Më Austri, më shumë se 170.000 spektatorë pritej të merrnin pjesë në koncerte, duke gjeneruar të ardhura prej 100 milionë eurosh, sipas agjencisë së lajmeve, APA.

Vitin e kaluar, “Eras” u bë turneu i parë që shiti më shumë se 1 miliard bileta dhe pritet që ta dyfishojë këtë shifër kur të përmbyllet në Vankuver dhjetorin e këtij viti.

Austria ka përjetuar sulmin e saj të parë vdekjeprurës xhihadist në nëntor të vitit 2020, kur një simpatizues i IS-it sulmoi qytetarët në Vjenë, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur 23 të tjerë, para se policia ta qëllonte për vdekje./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika