Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbër Rexhaj, ka thënë se protesta e serbëve dje pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, ku sipas tij u mblodhën rreth 400 veta, tregon “zbehjen ekstreme të ndikimit të Beogradit mbi serbët atje”.
“Protesta e djeshme te ura mbi Ibër ku ishin rreth 400 veta tregoi zbehjen ekstreme të ndikimit të Beogradit mbi serbët atje”, ka deklaruar Rexhaj duke thënë se pati vetëm përqindje njëshifrore të serbëve në këtë protestë.
Ai ka theksuar se qytetarët janë lodhur nga keqpërdorimi politik.
“Pra, me gjithë deklaratën e favorshme të QUINT’t, përqindje vetëm njëshifrore e serbëve në protestë. Janë lodhur qytetarët nga keqpërdorimi politik”.
Ndryshe, dje në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, protestuan pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kundërshtuan hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.
“Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”, ishin disa nga mesazhet që shiheshin në pankartat e protestuesve në Mitrovicë të Veriut.
Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb, që sot të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.