Dy persona u plagosën me armë zjarri të enjten në Viti si rezultat i një mosmarrëveshjeje për pronë, kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Fillimisht, Policia e Kosovës arrestoi një të dyshuar në lidhje me këtë rast.
Më pas, dy të plagosurit, që ishin gjithashtu të dyshuar në këtë incident, u ndaluan dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë për hetime të mëtejshme.
“Raportohet se pas një mosmarrëveshjeje rreth kontestit pronësor, dy meshkuj kosovarë janë plagosur nga arma e zjarrit. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar”, thuhet në raportin e policisë.
Gjatë operacionit të policisë janë konfiskuar një sërë armësh dhe municionesh, përfshirë një AK-47 me 4 fishekë dhe 14 gëzhoja të kalibrit 7.62mm, një pistoletë Sig 14 me 3 fishekë të kalibrit 9mm, një pushkë gjuetie dhe një pistoletë Sig Sauer me 28 fishekë të kalibrit 9×19 mm.