Të enjtën e 16 qershorit në orët e pasdites, është paralajmëruar për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Lajmin për RTV Dukagjini e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka qenë në gjendje gatishmërie, për ta trajtuar këtë rast ku ka dalë në vendin e ngjarjes me njësitin K-9.
“Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9)”, thuhet në komunikatë.
Alarmain për bombë e kanë konfirmuar edhe nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e APN-së, Valentina Gara, ka bërë të ditur se udhëtarët dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurtë.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombe. Udhëtarët dhe personeli janë evakuuar dhe janë te sigurte. Ekipet e involvuara ne planin emergjent jane duke kryer detyrat e tyre. Do te ju mbajmë te informuar”, ka thënë ajo në një postim në Facebook.
Nga organet e sigurisë bëhet e ditur se janë ndërmarrë veprimet konkrete duke evakuuar personat përkatësisht qytetarët në perimetrat e sigurisë.
Sipas Policisë, angazhimet e saj në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet tjera relevante nuk do të mungojnë.