Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deklaratat e tij, sipas AGK-së, janë cilësuar si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme, duke vënë në shënjestër disa prej medieve kryesore të vendit lidhur me rastin e aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Kurteshi gjatë konferencës përpara Prokurorisë Speciale të Ksoovës, teksa po fliste për rastin Dehari, ka akuzuar mediat Klan Kosova, Gazeta Express dhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK) për përhapje të dezinformatave dhe për nxjerrje të xhirimeve të paautorizuara. Ai ka pretenduar se këto media kanë luajtur një rol negativ gjatë raportimit për rrethanat e vdekjes së Deharit në paraburgim. Gjithashtu, Kurteshi ka deklaruar se RTK-ja në atë kohë ka mbuluar tërë propagandën kundër Vetëvendosjes dhe ka justifikuar arrestimet e aktivistëve të saj.
AGK e ka dënuar këtë deklaratë, duke e cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe një rrezik të madh për sigurinë e gazetarëve të përfshirë.
Sipas AGK-së, deklaratat e tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet e një shoqërie demokratike që respekton lirinë e shtypit dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
“Kjo, është një deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Kurteshit, që akuzon mediet në lidhje me rrethanat e vdekjes në burg të Deharit.
Deklarata të tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve të këtyre dy medieve dhe janë të papranueshme.
Rasti Dehari ishte dhe mbetet me interes të lartë për publikun, dhe në atë kohë specifikat e atij rasti ishin ndarë në detaje nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.
Xhirimet e publikuara nga mediat kanë zbuluar rrethanat e ngjarjes në qendrën e paraburgimit ku pritej siguri e lartë, dhe ka kontribuar në informimin e publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.