Lajmërimet nga persona anonim, se janë vendosur bomba në hapësira publike janë bërë të shpeshta tashmë në Kosovë.
Por, një kërcënim i përmasave më të gjëra ndodhi këtë të enjte.
Kësaj radhe kërcënimi ishte se janë vendosur mjete shpërthyese në 30 lokacione të ndryshme.
Bëhet fjalë për rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe Gjilanit, ndërsa lokacionet ku pretendohej se janë vendosur bomba janë të banuara kryesisht me serb.
Madje këto paralajmërime bën që disa shkolla të ndërprejnë procesin e mësimit në veri të vendit.
Se u morën kërcënime të tilla e pranon edhe Branislav Radoviq, që është zëdhënës i policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës.
Radoviq ka thënë se “Policia rreth orës 7 e 40 të mëngjesit të sotëm ka marrë informacionin se nëpër disa shkolla të veriut ka mjete shpërthyese në komunat Leposaviq Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut”
Pos veriut këto lajmërime për bomba janë bërë edhe në Anamoravë.
Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani ka dhënë më shumë detaje për këto raste.
“Në tetë lokacione deri më tani janë pastruar në detaje dhe kanë rezultuar se janë të rrejshme.Policia e Kosovës do ti hetoj të gjitha rastet vec e vec”, deklaroi Hashani.
Paralajmërimet ndërmjet postave elektronike për mjete shpërthyese kishte pasur së fundmi edhe në Shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, dy herë në Rektoratin e Universitetin e Prishtinës dhe disa herë të tjera në Stacionin e Autobusëve.