Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i hapë dyert për Kosovën, sepse sipas saj kështu luftohet edhe ndikimi i Rusisë në Ballkan.
Në “Forumin e Prespës për Dialog”, ku edhe po merr pjesë presidentja Osmani, po ashtu ka kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat dhe ta përkrahin kandidaturën për statusin e vendit kandidat, ashtu sikurse Bosnjë Hercegovinës.
“Kjo situatë është e thjeshtë, nëse ju doni të luftoni influencën e Rusisë atëherë pranoni Kosovën, liberalizojani vizat, përkrahni kandidaturën e Kosovës për statusin e vendit kandidat, sikurse edhe Bosnjës. Nëse anëtarët e BE-së nëse duan të jenë të qartë në luftën kundër influencës ruse dhe kineze duhet te jenë të sinqertë dhe të qartë”, ka thënë ajo.
Osmani, ka potencuar se shteti i Kosovës e meriton të jetë pjesë e BE-së, sepse sipas saj ndanë vlera të njëjta me shtetet anëtare të saj.
“Ne meritojmë të jemi në BE jo vetëm pse jemi evropian dhe ndajmë vlera të njëjta, por edhe jemi aty për reforma. Duhet të jetë e qartë për te gjithë se rruga për Moskë dhe ne BE nuk kryqëzohet. Askush nuk mund te ecë në një rruge të ndërtuar ashtu. Shumica prej nesh ka zgjedhur rrugën e duhur për te gjetur perspektive të qartë”, është shprehur ajo.
Presidentja e Kosovës , e ka theksuar nevojën e njohjes nga Serbia, sipas saj pranimi i përbashkët në BE, i të dya shteteve është zgjidhja e vetme.
“Serbia patjetër të pranojë Kosovën sepse pranimi i përbashkët është zgjidhja e vetme për një paqe dhe stabilitet në rajon. Në kandidaturë është një shpresë dhe seriozitet qe presim nga ju. Nëse ne marrim kandidaturën, mesazhi që marrim është se ata na duan brenda”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në mes të tjerash, Osmani e ka ripërsëritur qëndrimin e saj se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.