Pavarësisht kritikave dhe dyshimeve se pati keqpërdorime vitin e kaluar në lidhje me procesin e subvencionimit të teksteve shkollore, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se edhe këtë tekstet shkollore do të ofrohen përmes subvencionimit të prindërve.
Nagavci ka bërë të ditur se nga klasa e 1-5 vlera e subvencionimit do të jetë 80 euro, ndërsa për ata nga klasa 6-9 vlera do të jetë 110 euro.
“Edhe këtë vit tekstet shkollore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, përmes subvencionimit të prindërve, të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë që nesër në platformën e-Kosova”, ka deklaruar Nagavci.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, kishte deklaruar se prokuroria duhet të hetojë këtë proces pasi, sipas tij, po vjen era korrupsion.
Sipas Kastratit, e duhura do të ishte që për 514 mijë euro të vazhdohej me metodën e vjetër të subvencionimit e të dalin më 1 shtator librat për fëmijët sesa me metodën e re e me më shumë humbje.
Teksa kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj, ishte duke u intervistuar në komision, u pyet nga deputeti Kastrati në lidhje me ofertat që shtëpitë botuese kanë ofruar për negocimin e çmimeve për tekste shkollore, i cili tha se nga përgjigjet e saj rezulton se MAShT-i nga 4 milionë e 316 mijë sa vetë i ka planifikuar për tekste shkollore, për 514 mijë euro e prishi negociatën me shtëpitë botuese dhe shkoi me metodën e re të subvencionimit me 11 milionë euro humbje.
“Sipas dosjes B27 të tenderit, nga MASHTI janë planifikuar 4 milionë e 316 mijë e 885 nga të cilat thatë shtëpitë botuese kanë ofruar 5 milionë e 882 e 743 euro. Kjo praktikë është e zakonshme, shtëpitë botuese ofertojnë më lart. Por, të cilat e kanë zbritur në 4 milionë e 882 mijë. MAShT-i vitin e kaluar ka planifikuar 4 milionë e 316 mijë, ndërsa tani 4 milionë e 800 mijë, për 514 mijë euro është vendosë të shkohet me formën e re të subvencionimit që sipas Nagavcit tash ishte 11 milionë e dicka, 670 mijë. Po vjen era korrupsion, këtu ka punë prokuroria. Pra, nga 4 milionë e 316 mijë sa vetë ka planifiku MAShT-i për 514 mijë euro e prishi negociatën me shtëpitë botuese dhe shkoi me metodën e re të subvencionimit me 11 milionë e 670 mijë euro, kjo nuk arsyetohet asnjëherë as nga Nagavci as nga dëshmitarët”, kishte deklaruar Kastrati.
Po ashtu, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar VV-në për bllokimin e punës së këtij komisioni.
Në një konferencë për media, Tahiri kishte thënë se bllokimi i këtij komisioni u bë posa dolën në pah fakte konkrete se pati “abuzime dhe keqpërdorime në procesin e subvencionimit të librave”.
Sikur të ishte nënshkruar kontrata e MAshT-it në atë kohë me shtëpitë botuese, sipas Tahirit, do të shpenzoheshin 7 milionë euro më pak, kurse sipas tij tashmë kemi afro 12 milionë euro shpenzime në procesin e subvencionimit të librave.
“Në kohën kur ky komision arriti në fakte konkrete, abuzime e keqpërdorime, arriti me qit në pah kontratat që u deshën të nënshkruheshin me shtëpitë botuese e që nuk u nënshkrua nga Qeveria e Kosovës, ku u shpenzuan afro 12 milionë euro në subvencionim. Sikur të nënshkruhej kontrata do të shpenzoheshin rreth 5 milionë euro, pra që i bie 7 milionë euro më pak humbje”, ka deklaruar Tahiri.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka pretenduar se hetimi parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore 2023/24 i ka kaluar mandati.
Këtë e ka kundërshtuar kryetari i komisionit, Shemsedin Dreshaj, i cili ka deklaruar se afati i komisionit, të themeluar në prill, është deri më 16 nëntor.
E se LVV po e bën këtë qëllimshëm ka deklaruar edhe nënkryetari i komisionit, Ardian Kastrati.
“Arsyeja pse VV qëllimshëm po e bën këtë rrëmujë është për të bllokuar hetimin e aferës potenciale korruptive me kryeprotagoniste Arberie Nagavcin. Nga 4 milionë të planifikuara për tekstet, këta kanë shpenzuar 11 milionë. 7 milionë më shumë të cilat nuk janë shpjeguar qartë në komision, prandaj pas përfundimit të punës së komisionit në shtator, këtu unë besoj fort ka me pas punë Prokuroria Speciale. Kësaj pra, i frigohen këta të VV-së, hetimeve të Prokurorisë Speciale dhe kjo është arsyeja që shkaktojnë këto ditë rrëmuje me komisionin për ta spostuar vëmendjen nga hetimet për afera potenciale korruptive”, ka deklaruar Kastrati, nënkryetar i komisionit.
Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, ka arritur të konstituohet më 26 prill.
Pse u formua ky komision?
Ky komision ka për qëllim të evidentojë se a ka pasur lëshime në subvencionimin e teksteve shkollore apo jo, gjatë viti shkollor 23/24.
Kështu, më 4 prill, pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.
Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.
Subvencionimi
Procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.
Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vetë t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.
Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumën prej 80 eurosh për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.
Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.