Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) vendimin e Ministrisë së Arsimit që t’ua transferojë paratë prindërve edhe sivjet, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, po e cilëson gabim të përsëritur.
Sipas SBAShK-ut, një vendim i tillë është kritikuar vitin e kaluar, pasi ka lënë një numër të konsiderueshëm të nxënësve pa tekste shkollore në shtator e tetor.
“SBASHK-u, por edhe të tjerët, kishin kritikuar arsyeshëm vendimin e vitit të kaluar lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore përmes librarive dhe subvencionimin për to në xhirollogaritë e prindërve. Ky vendim i gabuar krijoi probleme dhe shtatori e tetori i vitit të kaluar shkollor i gjeti një numër të konsideruar të nxënësve ende pa të gjitha tekstet shkollore. SBASHK-u këtë kundërshtim e ka përsëritur edhe në takimin e kryetarit Jasharaj me zëvendësministrin Taulant Kelmendi duke e lutur që mos të veprohet njëjtë me tekstet shkollore, por që ato të dërgohen me kohë në shkolla nga botuesit”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagimin e tyre thuhet se MAShT-i nuk po i dëgjon kritikat dhe këshillat e SBAShK-ut dhe të Këshillit të prindërve e as të palëve të tjera, kësisoj “po e përsërit” gabimin.
“Zonja Nagavci duhet të merret me këto kërkesa, që në mënyrë të shkruar prapë ia kemi ripërsëritur dhe ia kemi dorëzuar zëvendësministrit Kelmendi në takimin me ftesën e tij. Për këshillat e saj se çfarë duhet të bëjë SBASHK nuk kemi nevojë se ne veprojmë bazuar në zërin dhe kërkesat e anëtarësisë. Të gjithë duhet ta arsyetojmë e respektojmë besimin e atyre që përfaqësojmë”.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot në një konferencë për medie ka njoftuar se MAShTI do t’ua transferojë paratë prindërve edhe sivjet, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Ky është viti i dytë radhazi që Ministria do t’u ndajë mjete në llogaritë e tyre bankare prindërve që ata t’i blejnë vetë librat shkollore për fëmijët e tyre në shkollë fillore.
“Edhe sivjet, tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen si në praktikën e vitit të kaluar duke subvencionuar prindërit”, tha Nagavci në një konferencë për medie.
Ajo tha se prindërit mund të fillojnë të aplikojnë online qysh nga e mërkura e 14 gushtit në platformën E-Kosova për rimbursim.