Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, me të cilin thuhet se ka diskutuar në lidhje me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Kështu ka njoftuar Presidenca përmes një komunikate për medie.
“Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se temë diskutimi në këtë takim ishte edhe votimi nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren që kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri.
“Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”, thuhet tutje në njoftimin e presidencës.