Enver Dugolli thotë se për herë të parë ishte arrestuar në moshën 18-vjeçare

Ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli, tha se është arrestuar për herë të parë më 4 prill të vitit 1981 nga UDB-ja. Atë kohë ai ishte si 17-vjeçar, dhe ishte arrestuar bashkë me 10 persona të tjerë që nuk kishte lidhje me ta, por që ishin të njëjtë "demonstrues" për udbashët

Enver Dugolli

Ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli, ka rrëfyer në “Debat Plus” të Televizionit Dukagjini për momentin e parë të arrestimit, “konstatimin” që nëna e tij i kishte thënë “bir ti je rrit në burg”, si dhe  shqiptimin e dënimit prej 11 vjetësh burgim efektiv për veprimet e tij “politike e organizative” në demonstratat ’81-shit.

Dugolli tha se momenti i parë i arrestimit të tij ka qenë më 4 prill të vitit 1981 si 18-vjeçar.

“Biri im ti je rrit në burg”- i kishte thënë nëna  e tij sa herë kujtonte periudhën e tij të qëndrimit si i burgosur politik.

Dugolli bëri të ditur se ai është dënuar me 11 vjet burgim kapital dhe arsyet kryesore të arrestimit të tij ndërlidheshin me demonstratat e vitit 1981, ku ai dhe shumë të tjerë protestuan për pakënaqësitë politike, shoqërore dhe kombëtare të asaj kohe.

Ish-i burgosuri politik, i cili aktualisht është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, u shpreh se aktiviteti i tij dhe veprimet e tij politike 40 vjet më parë rezultoi të jetë një “tullë” për murin që e ndan robërinë dhe lirinë.

Ai theksoi se periudha e burgut për të është një kapitull i pashmangshëm i kujtesës, i memories dhe i përjetimeve, teksa ka shtuar se vitet e burgimit i ka kaluar me vetëdije të plotë, duke thënë se “liria është e largët por një ditë do të vijë”.

“Po flitet për një periudhë kohore të shumë brezave, atdhetarëve të cilët shtëpinë kryesore e kishin burgun. Në mesin e mijëra djemve dhe vajzave që angazhoheshin për lirinë e Kosovës, jam edhe unë që një pjesë të madhe e kam kaluar në burg. Burgu është një kapitull i pashmangshëm i kujtesës, i memories sime dhe i atyre përjetimeve, që pa dashje t’i kthehem, herë në ëndërr e herë i zgjuar, janë të pashmangshme. Kanë qenë vite të cilat me vetëdije të plotë i kam kaluar në burg, po çka menduar se liria është e largët por një ditë do të vie”, deklaroi Dugolli.

Dugolli ishte dënuar me 11 vjet burgim për veprimet e tij që UDB-ja i kundërshtonte fuqishëm.

“Në moshën kur moshatarët e mi, në botën e lirë, kanë zgjedhur drejtime të caktuara për shkollim, avancim, për krijimin e familjes. Unë isha brenda katër mureve. Në shumë burgje si rezultat i angazhimeve të mia për demonstrate 1981 u burgosa dhe u dënova me një dënim kapital, edhe gjyqtarët si mund të arsyetoheshin një dënim prej 11 vitesh”, vijoi ai.

Isak Nishevci ka qenë gjyqtari kryesor i shqiptimit të dënimit ndaj Enver Dugollit, ndërsa prokuror ka qenë Njazi Burgodeva.

“Kam hipur mbi veturën e një profesori, kam lexuar një letër që qarkullonte si apel për thirrje për demonstrate. Nuk e dija se kush e kishte shkruar atë letër, por parulla dhe udhëzimet ishin aty”, deklaroi Dugolli.

Ai theksoi se pavarësisht vështirësive dhe mohimit të fjalës përfundimtare në ditën e gjykimit, ai kishte arritur të fliste në sallën e gjykimit.

Ai ka thënë se aty tha se “nuk ishte penduar për veprimet e tij, dhe se i kishte bërë me vetëdije të plotë”.

Ai shtoi se ky deklarim i tij para trupit gjykues ishte “befasi”për ta.

“Të gjitha veprimet e mia i kam bërë me vetëdije të plotë, nuk më ka shtyrë askush. Jam tejet i lumtur që kjo punë e imja sado pak do e ndihmojë që Kosova të bëhet Republike”, u kishte thënë Dugolli trupit gjykues në fjalën e tij përfundimtare.

Dugolli u shpreh se pas arrestimit të tij jo të gjithë njerëzit e sistemit kanë qenë udbashë apo të “egër”, teksa shton se ka pasur edhe momente kur personeli me uniformë, policë e gardianë i “adhuronin” për guximin e tij.

“Thellësisht të prishtë në shpirt kanë qenë udbashë dhe kanë qenë sadista. U shndërruan në makina tortura. Makina nuk ndjen asgjë. Nuk ndjen kënaqësi. Janë më shumë se makina. Shndërrohen në personalitetin e tyre, dhe kënaqësia në momentin e dhimbjes. Ka qenë e tmerrshme”, vijoi ai.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika