Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se i mbështet plotësisht linjat e kuqe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për urën e Ibrit.
Rohde ka mirëpritur deklaratën e sotme të kryeministrit Kurti për koordinim me partnerë.
“Mbështetje të plotë për NATO’n dhe linjat e tyre të kuqe për urën në Mitrovicë. Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar kanë rezultuar me plagosje të ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve, dhe kjo nuk duhet të përsëritet. Duhet të merret parasysh këshilla e ndërkombëtarëve”, ka shkruar Rohde në “X”.
Full support to @NATO_KFOR & its clear 🔴 lines, incl. on the Mitro-bridge.
Last year’s unilateral actions causing injuries to KFOR soldiers + civilians must not be repeated.
Intl advice should be heeded.
Rhetoric de-escalation needed; welcome coordination as @albinkurti outlined https://t.co/Bzlfbas7io— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 14, 2024
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dje tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.