Nga Beogradi erdhi kërkesë në Prishtinë që autoritetet nga Kosova t’ia dërgojnë Serbisë provat për Milan Radojiçiqin, i cili udhëhoqi grupin serb që kreu sulmin terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Por, Qeveria e Kosovës e ka refuzuar këtë kërkesë.
Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Drejtësisë ka thënë për Televizionin Dukagjini se kërkesa është e kundërligjshme.
Avokati Yll Zekaj, i ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull”, ka thënë se kjo kërkesë e refuzuar nga Ministria e Drejtësisë është e drejtë.
“Ministria e Drejtësisë me të drejtë ka refuzuar kërkesën e shtetit serb për të ofruar provat, duke arsyetuar në nenin 85 te ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, ku në raste të caktuara lejohet edhe refuzimi i kërkesave,” tha Zekaj.
E një refuzim i tillë, Zekaj thotë se lejohet kur me kërkesë të tillë rezikohet të cenohet siguria e shtetit apo të cenohen kredibiliteti i provave.
“Dhe është më se e vërtetuar kur nga shteti i Serbisë kemi pasur trajnimet e këtij grupi terrorist, financimin dhe involvimin në shtetin e Kosovës të këtij grupi, e të gjitha këto përbëjnë vepra të veçanta penale, për të cilën duhet të ndjeken pjesëtarët e këtij grupi,” shtoi Zekaj.
“Nëse prova të tilla dalin nga Prokuroria Speciale dhe i dorëzohen Serbisë, nuk kemi garancion në trajtimin kredibil të këtyre provave,” deklaroi Zekaj.
Sipas tij, është edhe e mundshme që nëse dorëzohen provat “ të bëhet prishja e hetimeve, në këtë rast që është rasti që ka bërë bujë, ku ky rast hyn në kuadër të elementeve të veprave penale të terrorizmit.”