Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është kërkuar që dy zyrtarëve policorë t’u vihet masa e paraburgimit për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe shkaktimit të një lëndimi të lehtë trupor.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se Departamenti i Përgjithshëm ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve V.M. dhe A.D., në drejtim të veprave penale si “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 195 dhe 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së lartcekur, të akuzuarit dyshohen se mbrëmjen e së mërkurës të 15 qershorit, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht një person.
Po të njëjtit, e kishin ndalur viktimën në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik, duke i marrë dokumentet dhe i duke i kërkuar që të vinte në stacionin policor. Me të arritur në stacionin policor, viktima ishte vendosur në një zyrë dhe gjatë përpilimit të fletëkundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer e pastaj të njëjtin, e kishin sulmuar fizikisht.
Të pandehurit, me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh nga data 16 qershor.