Një shtetas nga Kosova është aksidentuar në qytetin Soline në jug të Kroacisë me një veturë tjetër, shoferi i së cilës ka vdekur, raporton media kroate “Index”.
Nga ky aksident kanë mbetur edhe gjashtë persona të lënduar.
Sipas medias kroate, aksidenti është shkaktuar nga 40-vjeçari, shtetas kosovar, i cili ishte me veturën me tabela sllovene, i cili u përplas me një veturë me tabela kroate.
Në veturën kroate ka vdekur shoferi 45-vjeçar, ndërsa pasagjerët me të, një grua dhe një burrë, shtetas të Polonisë janë lënduar rëndë, por janë jashtë rrezikut për jetë.
Lëndime të rënda ka marrë edhe shoferi kosovar, i cili është duke u trajtuar në spital, po ashtu edhe pasagjerët në veturën e tij, shtetas të Kosovës kanë marrë lëndime të rënda.
Një 42-vjeçare dhe një 11-vjeçar kanë pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetë, ndërsa një 18-vjeçar tjetër raportohet se është liruar nga spitali me lëndime të lehta.