Para se të merrej pushteti, Lëvizja Vetëvendosje zotonte se do të ndërtojë 160 çerdhe për katër vjet.
Numri i ndërtimit të tyre nuk ka prekur as 10-shin sepse deri tani kanë arritur të kryhen vetëm nëntë të tilla.
Pavarësisht kësaj, paratë e ndara për ndërtimin e çerdheve, tash Ministria e Arsimit ia ka gjetur vendin diku tjetër.
Ndërmjet një vendimi, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që mjetet të kalojnë për subvencionimin për tekste shkollore.
Dhe paratë e çerdheve nuk janë të vetmet.
Tek buxheti për tekste kanë kaluar edhe ato për investime kapitale, të digjitalizimit, inspektoratit të arsimit e shumë projekte tjera që arrijnë shumën afër 10 milion euro.
“Investimet kapitale në Arsimin para-universitar, merret shuma prej 1,521,000€ (një milion e pesëqind e njëzetë e njëmijë euro) nga kategoria e shpenzimeve “mallra dhe shërbime”. Ndërtimi i çerdheve modulare në 7 regjionet e Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Gjakovë, shuma prej 1,200,000€”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Kjo formë e transfereve të mjeteve buxhetore nga një projekt në tjetrin po konsiderohen veprime amatoreske.
“Kjo lloj ndarje e linjave buxhetore, duke marr dikah e duke qite dikah tjetër këtu shihet që këta nuk kanë ide dhe japin ide ad-hock që në fakt e dëmtojnë procesin e arsimit. Këto ide dhe këto ndarje është dashur të bëhen në qershor ose në fund të qershorit, kur është bërë rishikimi i buxhetit e jo 15 ditë para se të filloj procesi mësimor”, ka thënë ekonomisti Mustafë Kadriaj.
Në ndërkohë se çfarë do të ndodh me projektet e mbetura pezull, nuk dihet meqenëse përgjegjësit po qëndrojnë të heshtur.
Ministria e Arsimit nuk i është përgjigjur Dukagjinit për këtë mosplanifikim të buxhetit për tekste e madje dhe as ku kanë shkuar mjetet e marra nga projektet milionëshe dhe çfarë ka ndodhur me ato projekte.
Kjo formë e kalimit të mjeteve financiare publike nga një linjë në një linjë tjetër është konsideruar keqmenaxhim dhe madje korrupsion nga anëtar të Komisionit Hetimor Parlamentar për Subvencionimin e teksteve shkollor, respektivisht anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas tyre, me vendimin që prindërit të subvencionohen janë shpenzuar rreth 7 milionë euro më shumë krahasuar me vitet e kaluara.