Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të caktuar datën e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt 2025.
Në një postim në Facebook, Krasniqi theksoi se PDK-ja kishte kërkuar që zgjedhjet të zhvilloheshin më 26 janar 2025 dhe se shtyrja e datës është e panevojshme.
“Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit rë ardhshëm, sot presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit.
Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.