Një zyrtar policor është arrestuar mbrëmjen e së premtes pasi dyshohet se vrau një person në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Sipas informacionit të siguruar nga Dukagjini, i dyshuari për këtë vrasje është zyrtari policor me inicialet F.,R.,i cili dyshohet të ketë vrarë burrin e tezës.
Viktima, sipas Prokurorisë në Ferizaj, ishte në moshë të shtyrë.
Zyrtari policor vrasjen dyshohet se e kreu me armën zyrtare, derisa ishte me një veturë civile dhe jashtë orarit të punës.
Ngjarja, sipas policisë, ndodhi rreth orës 19:30.
IPK-ja tha se zyrtari policor, i dyshuar për vrasje, kishte shkuar në restaurantin ku po mbahej ceremonia dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një rast të gjuajtjes më armë zjarri në Ferizaj e ku dyshohej se ishte përfshirë edhe një zyrtar policor. Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me shumë njësi të tjera policore si dhe prokurorin kujdestar. Incidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restaurant ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme. Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë”, thuhej në njoftim.
Pas kryerjes së veprës penale, zyrtari policor është vetëdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt, ku ka dorëzuar armën e tij zyrtare, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Ai është arrestuar dhe suspenduar nga detyra, dhe me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për dyshimin e veprës penale “Vrasja e rëndë”.
Më pas, IPK-ja njoftoi për arrestimin e një tjetër personi të dyshuar në lidhje me këtë rast.
Sipas informacioneve të bëra publike nga IPK-ja, të arrestuarit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ai dyshohet për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë”.