Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në një konferencë pas Forumit të Prespës ka thënë se negociatat e Serbisë me Kosovën bëhen me rezolutën 1244, rezolutë në të cilën sipas saj bëhet fjalë për normalizim marrëdhëniesh, e nuk përmendet njohja për Kosovën.
“Që kur ka nisur lufta në Ukrainë ka një qëndrim ndryshe ndaj vendeve evropiane që e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ajo.
Sipas saj vendet evropiane që e kanë shkelur vetë rezolutën 1244 duke pranuar të njohin shtetin e Kosovës, nuk mund të bëjnë thirrje për rezoluta të tjera të Kombeve Bashkuara.
“Ne habitemi sepse në Ukrainë dënojnë cenimin e integritetit territorial por nuk kanë qëndrim të njëjtë për cënimin e integritetit të cenuar të Serbisë pa një vendim të Kombeve të Bashkuara”, ka shtuar ajo.
Bërnabiq: Në dialog me Kosovën, Serbia do të luftojë për integritetin e vet territorial
Ndërsa Bërnabiq në fjalën e saj në Forumin e Prespës ka thënë se sipas dokumenteve zyrtare të BE-së, thuhet që duhet të ketë normalizim të relacioneve në mes të Serbisë dhe Kosovës, e jo që të ketë njohje të shtetit të Kosovës.
Sipas Bërnabiq, nëse është e vërtetë që njohja për Kosovën është kërkesë nga BE, atëherë siç thotë ajo, pozicioni i negociatave Kosovë-Serbi duhet të ndryshojë.
Ndërsa, ndër të tjera, ajo ka thënë se gjatë negociatave, Serbia do të luftojë për integritetin e vet territorial.
“Serbia qëndron për normalizimin e relacioneve përmes Serbisë dhe Kosovës. Pra në këtë pozitë zyrtare të BE-së, nuk ka asnjë fjale të vetme qe ne duhet ta njohim Kosovën, por thuhet për normalizim të marrëdhënieve, dhe se rezoluta e BE-së flet për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Bërnabiq.
Ajo ka thënë, ndër të tjera, se “Kemi dëgjuar nga partnerët tanë por nuk kemi dëgjuar nga BE që (njohja) është kërkesë. Nëse është e vërtetë, atëherë pozicioni i negociatave duhet të ndryshojë”.
Ajo i ka bërë thirrje BE-së, që të fillojë negociatat edhe me Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë.
“Kjo është me rëndësi edhe për Serbinë. Ne japim qind për qind përkrahje të gjithë partnerëve tanë në rajon, të vazhdojnë me negociatat sa më shpejt që është e mundur, kjo përfshin edhe Bosnjë e Hercegovinën”, ka thënë ajo duke anashkaluar Kosovën.
Nisma e Ballkanit të Hapur
Ajo ka thënë që fokusi i Ballkanit të Hapur është që të rritet bashkëpunimi ekonomik.
“Mendoj se është e qartë që BE dhe rajoni janë interesi jonë politikisht dhe ekonomikisht. Duhet të fokusohemi në dy gjëra për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Kjo fillon me procesin e Berlinit, të lidhim njerëzit dhe ekonomitë dhe të mundësojmë që Ballkani të jetë sa më i lidhur. Ky fokus është për Ballkanin e Hapur”, ka thënë ajo.
Për Ballkanin e Hapur, ajo ka thënë se është një mundësi shumë unike.
“Nëse ne qëndrojmë siç jemi mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, por shpresoj që të tjerët të shohin potencialin dhe të na bashkohen. Më e rëndesishmja është që t’u tregojmë gjeneratave të reja se mund te kemi një të ardhme më të mirë”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, në nismën e Ballkanit të Hapur, benefit është që pjesëmarrësit mund të zgjedhin iniciativat.
“Gjatë procesit të Berlinit shumë nga agjendat qe i kemi në Berlin të gjitha kanë qenë të adoptuara nga Ballkani i Hapur. Ajo që i shton vlera këtij projekti është që partnerët janë të lirë të zgjedhin iniciativat”, ka theksuar Bërnabiq.
Sipas saj, shtetet që nuk janë ende pjesë e kësaj nisme, mund të bashkëngjiten më vonë ose të mos bashkohen fare.