Seanca e planifikuar për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitaj është shtyrë për në orën 13:00.
Të premten e 17 qershorit është planifikuar të prezantohen të gjeturat nga dalja në terren, e cila ishte realizuar në seancën e fundit.
Nga qelia e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, Naser Pajazitaj mëngjesin e së mërkurës të 25 majit është sjellë në fshatin Strellc të Decanit, në vendin ku dyshohet se e mori me veturë kushërirën e tij, Donjeta Pajazitaj dhe e vrau më pas në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.
Pajazitaj, këtu tregoi pretendimin e tij se nga kishte kaluar në ditën kritike.
“Lëvizja ime prej aty, kam lëvizur në këmbë deri te varrezat, deri tek ai dyqani aty, e kam parë që nuk po mundem të eci, edhe jam kthyer… dhe me veturë e kam ndezur veturën që të shkoj në shtëpi, të mos shkoj në varrim fare… kam lëviz lart e deri te bunari, prej bunarit e deri te varrezat”, ishte shprehur Pajazitaj.
Trupi gjykues del në vendin ku u gjet trupi i Donjeta Pajazitaj
Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor të vitit 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna e Decanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, për motive të ulëta, kishte vrarë Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.
Viktima ishte marrë nga i pandehuri me veturë, dhe nga po i njëjti, dyshohej se ishte qëlluar me armë dy herë në kokë.
Kufoma e viktimës është gjetur më 17 dhjetor të vitit 2015, në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.