Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Lutfi Haziri ka informuar për mbajtjen e një takimi të degës së LDK-së në Gjilan, ku tha se partia më e vjetër në vend “riaktivizoi mekanizmat partiakë, Kryesitë e forumeve, Nëndegët, komisonet profesionale, komisonerët e vëzhguesit për agjendën e re të punës”. Ky njoftim erdhi pasi presidentja të premtën caktoi 9 shkurtin 2025 si datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Haziri përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” bëri të ditur se është optimist se “rikthimi i madh do të ndodhë dhe LDK mbetet parti e besës dhe e shpresës”.
“Fillon numërimi prapa i kësaj qeverie që pësoi fiasko në çdo aspekt. Erdhën në pushtet me metoda të dhunshme, me linçime të kundërshtarëve politikë, me kauza të rrejshme, me populizëm par excellance dhe e polarizuan skenën politike deri në atë shkallë sa e sollën Kosovën afër vëllavrasjes. E, çka bënë?! Degraduan çdo pore të jetës, dështuan në çdo premtim në mënyrë frapante dhe prapë vazhduan me mashtrime”, shkroi Haziri.
Ai përmendi frazat e dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dështimet, siç tha, të njëpasnjëshme.
“Sot në institucionet e Republikës valon akoma ‘flamuri lara-lara’, e harruan bashkimin kombëtar, madje i degraduan raportet me Shqipërinë deri në atë shkallë sa të mos ketë as komunikim ndërnjerëzor, përderisa, si asnjëherë më parë, i përçanë shqiptarët e Kosovës Lindore dhe ata të Maqedonisë së Veriut.
Nuk duhet ta harrojmë assesi edhe mashtrimin e tij më të madh se ‘nuk do ta vazhdojë dialogun me Serbinë’, ndërkohë që buzëqeshi disa herë në takimet me Vuçiqin, prej të cilave u prodhua një autonomi për serbët dhe Kosovën e futi në marrëveshje ligjërisht obligative.
Ajo që është më e tmerrshmja, Kosovës dhe komunave ku udhëheqin, i sollën depresion të thellë politik e ekonomik, dhe shkaktuan dëshpërim në emër të shpresës që e mbollën tek qytetarët”, vijon njoftimi.