Ushtruesi i detyrës i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se nuk është arritur asnjë rezultat nga takimi me Kurtin.
Pas seancës së Kuvendit të së enjtes në të cilën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se do të ishte i gatshëm që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës dhe të diskutojë me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së për të gjetur një zgjidhje, është zhvilluar takimi mes tij dhe përfaqësuesve të veteranëve.
”Me kryeministrin nuk u dakorduam, sepse kërkuam të rikthehet pika 3.1 të cilën e ka ndryshuar Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Ne i thamë që kërkojmë që pika 3.1 të kthehet dhe në seancat që do të mbahen, përndryshe ne do të vazhdojmë protestat tona”, ka thënë Klinaku.
Ndër të tjera, Klinaku ka thënë se Kurti ka ofruar të propozojë diçka me shkrim, afatin e së cilës nuk e ka bërë të ditur.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se Gjykata është duke i verifikuar listat e veteranëve.
“Në momentin që po propozohet seanca e dytë për propozim ndryshimin, ne do t’ju njoftojmë në lidhje me veprimet tona. Nuk kemi probleme me Policinë, as me ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, kemi probleme me ata njerëz që nuk respektojnë ligjin, që janë brenda institucioneve të Kosovës, që pa bashkëluftëtarët nuk do të ishin në gjendje të jenë në ato karrige, nuk do të lejojmë të shkelin nderin e UÇK-së”, ka thënë Jashari gjersa ka shtuar se kërkesa i adresohej deputetëve.
Ai ka thënë se protestat do të jenë të qeta, mirëpo mllefi i kësaj kategorie është i madh dhe nuk mund të garantojë në moseskalimin e situatës.
“Për familje të dëshmorëve, për veteranë, duhet të ketë beneficione, po i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, që të zbatojë këtë ligj, që këtë lartësi të beneficionit të pagës minimale edhe për kategorinë e veteranëve”, ka theksuar ai.
Ishte një mbledhje e gjatë dhe pa rezultat thotë Fadil Shurdhaj nga Shoqata e Invalidëve, duke shtuar se presin reflektime dhe njëherësh, edhe propozimin e thënë nga Kurti.
Pjesë e takimit ishin edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, këshilltari politik i kryeministrit dhe njëherësh drejtori i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici dhe kryetari për Komisionin e Financave, Armend Muja.