Blinken i bën thirrje Hamasit ta pranojë propozimin e SHBA-së për armëpushim

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken/ Foto REUTERS

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje të hënën Hamasit ta pranojë një propozim të Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve, pas një takimi që kishte me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më herët të hënën, Blinken tha se përpjekja më e fundit për marrëveshje është mbase mundësia më e mirë dhe e fundit, prandaj u bëri thirrje të dyja palëve ta pranojnë propozimin.

Bisedimet në Katar javën e kaluar përfunduan pa ndonjë përparim, por ato pritet të rifillojnë këtë javë bazuar në një propozim të Shteteve të Bashkuara për përafrimin e qëndrimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

“Gjatë një takimi shumë konstruktiv me kryeministrin Benjamin Netanyahu sot, ai konfirmoi se Izraeli e pranon propozimin për përafrimin e qëndrimeve dhe se e mbështet atë”, tha Blinken për gazetarë në Tel Aviv.

Ai shtoi se tani “i takon Hamasit ta bëjë të njëjtën gjë”.

“Pastaj, palët, me ndihmën e ndërmjetësve – Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit – duhet të bashkohen dhe ta kompletojnë procesin për arritjen e mirëkuptimeve të qarta për atë se si do t’i zbatojnë detyrimet që i kanë marrë me këtë marrëveshje”, tha ai.

Me gjithë shprehjen e optimizmit nga SHBA-ja dhe përshkrimit të takimit si pozitiv nga zyra e Netanyahut, Izraeli dhe Hamasi kanë lënë të kuptohet se do të ketë e vështirë të arrihet marrëveshja.

Bisedimet disa mujore dhe të ndërprera kohë pas kohe janë zhvilluar rreth çështjeve të njëjta. Izraeli thotë se lufta mund të përfundojë vetëm pasi të jetë shkatërruar Hamasi si forcë politike dhe ushtarake, ndërsa Hamasi thotë se do të pranojë vetëm armëpushim të përhershëm, jo të përkohshëm.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika