Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka vizituar Sindikatën e Pavarur të Minatorëve. Ai ka thënë se Trepçës duhet t’i kthehet nami dhe shkëlqimi i dikurshëm përmes projekteve investive dhe revitalizimit të plotë dhe ofrimi i kushteve më të mira të punës.
Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkroi se gjatë vizitës së tij në Sindikatën e Minatorëve ka shprehur shqetësimin për gjendjen aktuale të minatorëve, duke shtuar se do të “jetë krah i kërkesave të tyre”.
“Në vizitën që i bëra sindikatës së minatorëve, shpreha shqetësimin për gjendjen në të cilën gjenden sot minatorët. U zotova para tyre se do t’i jem krah në të gjitha kërkesat, sikur sot por edhe nesër në udhëheqje të vendit. Trepçës duhet t’i kthehet nami dhe shkëlqimi i dikurshëm, kjo përmes projekteve investive – revitalizimit të plotë dhe ofrimit të kushteve më të mira për minatorët”, vijoi Haradinaj.
Haradinaj tha se Trepça është duke u ballafaquar me probleme serioze, qoftë mungesë të financave apo edhe kushtet e rënda të punës dhe pa sigurim shëndetësor.
“Trepça është vlerë dhe simbol i rëndësishëm i Kosovës. Kështu e kam trajtuar edhe atëherë kur në Kosovë kishte pak njerëz që besonin se Trepça mund të rikthehej si aset i përhershëm i Republikës sonë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam atë si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Kjo ishte mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e minatorëve të devotshëm dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të Trepçës.
Sot, Trepça është duke u ballafaquar me probleme serioze qe nderlidhen me mashtrimin qe kno Qeveri po e bene tash e 4 vjet. Ka mungesë të financave, minatorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale që nuk i paguhen me muaj të tërë e pa sigurim shëndetësor”, vijoi Haradinaj.