Ervin Baku, gazetari i sportit i Radio Televizionit Shqiptar i cili u paraqit në një lidhje direkte në Shqipëri i veshur me fanellën e Serbisë ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se këtë paraqitje nuk e ka bërë me ndonjë qëllim.
Në emisionin “Rreth e Rrotull” ai ka kërkuar falje për këtë veprim të tij duke thënë se sportin e ndan nga politika.
“Unë jam njeri i sportit, është fanellë që e vesha pasi ishte dhuratë nga trajneri i volejbollit të femrave të Serbisë që zhvilloi kampionati balllkanik në Tiranë muajin e kaluar. Skisha as një paramendim dhe prapamendim, unë patriotizmin tim e kam vërtetuar shumë herë, e kam quar flamurin të Shqipërisë në Beograd dhe në Strumica të Maqedonisë. “Çështjen Çame” në Parlamentin Evropian e kam ngritur unë për herë të parë në vitin 2006 në Strasburg”, ka deklaruar Baku.
Sipas Bakut, sporti është paqe e jo luftë.
“Sporti është paqe, nuk është luftë. Serbia duhet të kërkojë falje Kosovës për krimet cnjerëzore… Nuk e bëj për të dukur, ka qenë thjesht sport, ka qenë një fanellë sporti. E ndaj sportin nga politika. Unë i kërkoj ndjesë cdonjërit dhe cdonjërës, nuk kam bërë asgjë me qëllim. Ka qenë në kuadrin e sportit. Për mua sporti bashkon dhe ndërton ura”, ka vijuar ai.
Ndryshe, gazetari i sportit i RTSH-së, Ervin Baku ka nxitur reagime të shumta, pas një paraqitje të tij në një lidhje direkte në Euronwes Albania, i veshur me fanellën e Serbisë.
Menjëherë pas inkuadrimit në lidhje direkte, gazetari Thimi Samarxhiu e pyeti nëse kjo është një provokim, por ai mohoi të jetë një gjë e tillë.
“Baku, provokim apo jo bluza që ke veshur?”, ishte pyetja drejtuar nga Samarxhiu.
Gazetari i sportit Baku u mundua të arsyetojë këtë veprim, duke thënë se ai është një njeri që përpiqet të ndërtojë ura e jo të prishë ura.