Lajçak: Javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi Kosovë-Serbi

Miroslav Lajçak ka thënë se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish te mungesa e konsensusit

I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për Euronews Albania ka deklaruar se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut mes dy vendeve.

Lajçak nuk ka specifikuar se çfarë konkretisht.

Ai, gjithashtu, foli për një takim të tretë të mundshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, para verës.

Çështjet e pazgjidhura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë kthyer në një temë të nxehtë kohët e fundit, a shihni ndonjë shpresë për Maqedoninë e Veriut në Samitin e BE-së në qershor?

Nuk ka asnjë dyshim që Maqedonia e Veriut do t’i nisë negociatat e antarësimit dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë këtë qershor. Ju e dini që Bashkimi Evropian i merr vendimet në bazë të konsensusit, ndaj ne po punojmë fort që Presidenca Franceze apo edhe vetë presidenti Macron dhe liderët evropianë si presidenti Charles Michel, por edhe shumë të tjerë po mundohen t’i ndihmojnë të dyja palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët që do t’i lejonte edhe Maqedoninë e Veriut edhe Shqipërinë të nisin negociatat këtë qershor.

Ju vetë personalisht e besoni se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë të nisin negociatat e anëtarësimit?

Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Ato i kanë plotësuar të gjitha kushtet. Dhe, sigurisht, ato janë gati. Unë duhet ta pranoj ama me sinqeritet që problemi qëndron me palën tonë, me Bashkimin Evropian, pasi ne nuk kemi ende konsensus me të gjithë bllokun, por të gjithë e dinë këtë dhe ne po punojmë vërtetë fort për ta pasur këtë bashkim.

Qeveria në Shkup ka përsëritur shpesh që këto mosmarrëveshje po e vrasin besueshmërinë e BE-së në rajon, a ndani dhe ju të njëjtin mendim?

Nuk mund të jemi krenar për shpejtësinë me të cilën po lëvizin gjërat për sa i përket integrimit në BE. Ky është fakt. Dhe BE-ja i dha premtimin rajonit 19 vjet më parë që do të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian dhe në këto 19 vjet vetëm Kroacia është bërë një anëtare me drejta të plota.

Dhe vetëm 2 prej 6 vendeve po negociojnë ndërsa 4 të tjerët vazhdojnë ende të presin. Ndaj këtu nuk ka vend për dyshim, ne duhet të mundohemi më shumë. Të dyja palët. Kur rajoni sjell rezultate, atëherë edhe BE duhet të japë rezultate. Dhe për sa i përket çështjes së besueshmërisë, BE vazhdon të mbetet opsioni i vetëm dhe opsioni më pozitiv për të ardhmen e rajonit të Ballkanit. Nuk ka një ardhme të mirë për Ballkanin se ajo evropiane dhe unë në fakt do të sugjeroja që ne ta kritikonim njëri-tjetrin më pak dhe të bashkëpunonim më shumë dhe të garantojmë që kjo të ndodhë.

Po sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, a keni parë progres?

Po, në fakt është bërë shumë punë dhe ka pasur progres, edhe pse kjo nuk ka qenë dhe aq e dukshme por e vërteta është se dy kryenegociatorët po takohen çdo muaj në Bruksel dhe ne po diskutojmë një numër çështjesh konkrete, si implementimi i marrëveshjeve të shkuara që janë miratuar para disa vitesh por nuk janë implementuar – ne gjithashtu po diskutojmë rreth çështjeve të ditëve të sotme për t’u siguruar që ato të mos kthehen në probleme të mundshme, dhe së fundmi, ne po punojmë edhe për të ardhmen e marrëveshjes së normalizimit.

Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë përpara pushimeve të verës.

Kemi parë disa sinjale pozitive për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, a mund të ndodhë këtë vit?

Sërish ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës duhej t’i jepej liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish te mungesa e konsensusit. Por, mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë, por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë. 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika