Të hënën e javës së ardhshme, më 20 qershor, pritet të mbahet mbledhja e përbashkët e radhës e dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje të tetë me radhë pritet të nënshkruhen marrëveshje që do të përfshijnë fusha të ndryshme, si ajo e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për kp se disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen të hënën janë afër finalizimit.
Nga ana tjetër, për Shqipërinë ish-kryediplomati Besnik Mustafaj, ka thënë se nëse nuk ka diçka konkrete për zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje, atëherë të njëjtat janë pjesë vetëm e propagandës politike.
“Në qoftë se marrëveshjet që mund të bëhen ndërmjet ministrave, ato duhet të shoqërohen me një program se çfarëdo të bëhet gjatë vitit 2022, 2023, 2024, kush është përgjegjës për këtë etapë, në Tiranë, Prishtinë, Prizren, Shkodër. Pasi, nëse nuk shoqërohen me këto, janë vetëm copa letre të iu tregohet shqiptarëve që ulen atje, përshëndesin njëri-tjetrin dhe mbaron puna. Nuk ka të keqe, por nuk prodhon (asgjë), janë pjesë e propagandës këto mbledhje, nëse nuk prodhojnë rezultat konkret”, ka thënë Mustafaj.
Gjithashtu, Kryeziu ka përmendur edhe rezultatet konkrete të marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor të vitit të kaluar.
“Deri më tani rezultate konkrete nga ato marrëveshje kemi lehtësimin e procedurave për lejeqëndrimin pesëvjeçar të qytetarëve të dy vendeve, hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë, lehtësimin e procedurës për njohjen dhe njehsimin reciprok të diplomave, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështje civile dhe tregtare, krijimi i kalendarit të përbashkët kulturor, vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë, rritja e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore, kurse edhe atë të bujqësisë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, disa marrëveshje nga mbledhja e kaluar janë drejt finalizimit praktik të tyre, por iu ka mbetur që të adresohen edhe disa çështje teknike.
Pavarësisht mospajtimit të kryeministrit Edi Rama lidhur me iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, Kryeziu ka thënë se kjo është një dëshmi shumë e mirë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas tij, fakti që janë dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive në më pak se një vit, është dëshmi për vullnetin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar 13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Këtë mbledhje po synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që synim kanë bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mospajtimeve për çështje të caktuara.