Mbi 30 palestinezë u vranë si pasojë e sulmeve të shumta izraelite në pjesën jugore të Rripit të Gazës, bënë të ditur zyrtarë të shëndetësisë të shtunën.
Këto zhvillime vijnë edhe pse vazhdojnë përgatitjet për bisedime për armëpushim, të nivelit të lartë, që pritet të mbahen në Egjipt.
Mes të vdekurve ishin edhe 11 anëtarë të së njëjtës familje, mes tyre dy fëmijë. Ata u vranë kur një sulm ajror izraelit goditi shtëpinë e tyre në qytetin Khan Younis të shtunën herët në mëngjes, sipas zyrtarëve të spitalit ‘Nasser’, ku u dërguan trupat dhe të plagosurit.
Ushtria izraelite bëri të ditur se po shqyrtonte njoftimet, por nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm.
Një gazetar i agjencisë ‘Associated Press’ që ndodhej në spital numëroi trupat e pajetë.
Lufta në Gazë shpërtheu më 7 tetor, kur Hamasi dhe militantë të grupeve të tjera organizuan një sulm terrorist të befasishëm ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë.
Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi të arritur vitin e kaluar, por mendohet se grupi militant ka ende edhe 110 persona, rreth një e treta e të cilëve kanë vdekur, sipas vlerësimeve nga autoritetet izraelite.
Si pasojë e ofensivës së Izraelit janë vrarë më shumë se 40 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, e cila nuk bën dallime mes viktimave civilë dhe militantëve.
Konflikti ka shkaktuar gjithashtu shkatërrim të gjerë dhe ka detyruar shumicën dërrmuese të 2.3 milionë banorëve të Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre. /VoA