Policia e Kosovës përmes raportit ditor të saj ka njoftuar se kanë ndodhur pesë raste të dhunës në familje në vendin tonë. Ngjarjet kanë ndodhur në Prishtinë, Istog, Deçan, Rahovec, Mitrovicë e Veriut.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ndaj saj është ushtruar dhunë nga ish-bashkëshorti.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ka pasur dhunë nga ish bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Deçan, ku sipas policisë, një grua ka sulmuar prindërit e saj.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta ka sulmuar prindërit e saj. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Në Rahovec, një burrë ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
“Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedon një armë dhe të njëjtën e ka dorëzuar. Arma pistoletë me një karikator pa fishek është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut, një burrë është arrestuar, nën dyshimin se ka sulmuar bashkëshorten e tij.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Në Istog, raportohet se një grua është ofenduar nga bashkëshorti i saj i cili ishte nën ndikim të alkoolit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka ofenduar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, bën të ditur policia.