Shefi i CIA-s, William Burns, ka përfunduar një turne të paparalajmëruar në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë.
Vizita e tij vazhdon të jetë temë diskutimi, veçanërisht për bisedimet që zhvilloi me liderët serbë, ku sipas raportimeve të BBC-së, tema kryesore ishte Kosova.
BBC-ja ka raportuar se në takimet që pati në Serbi, shefi i CIA-s më së shumti ka diskutuar për Kosovën.
“Temat me zyrtarët serbë kanë qenë më shumë politike sesa inteligjencë dhe në takime më së shumti është diskutuar për Kosovën, mëson jozyrtarisht BBC”, thuhet në artikullin e BBC.
Kosova ishte destinacioni i fundit i këtij turneu të Burns-it.
Në Prishtinë, Burns u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Petrit Ajeti, duke theksuar rëndësinë e aleancës strategjike në mes të Kosovës dhe ShBA-së.
Osmani kishte publikuar një fotografi me të.
“Aleanca me SHBA-të është garancia për siguri, paqe dhe sukses”, ka shkruar Osmani në Facebook, duke shtuar se ishte kënaqësi të mirëpriste Burns-in në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti gjithashtu e falënderoi publikisht për mbështetjen e Kosovës, duke publikuar fotografi nga, siç e quajti ai, “takimi strategjikisht i rëndësishëm.”