Urime po i thonë njëri-tjetrit, por hapja nuk është sot.
Bëhet fjalë për Postën e Kosovës, e cila tashmë e ka zënë vendin e një butiku rrobash në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicën Veriore.
Ky objekt tash është në pronësi të AKP-së, pasi është njëri ndër objektet e uzurpuar nga pronar të komunitetit serb në Kosovë.
E për postën e Kosovës po bëhen përgatitjet e fundit që së shpejti edhe të jetë e gatshme për qytetarët.
Nesër po ashtu pritet që në hapjen e Postës të jenë pjesë edhe zyrtarë të shtetit.
Kujtojmë që nëntë objektet, ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës, janë mbyllur në fillim të muajit gusht, veprim i cili u kundërshtua nga Bashkimi Evropian.
Këto posta, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Aksioni ishte ndërmarrë pas një shkrese- informate të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të paregjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Pos kësaj, javëve të fundit në veri janë mbyllur edhe pompa derivatesh e gjithashtu ka nisur që rrjete marketesh e të tjera, të hapin përfaqësitë e tyre në Mitrovicën Veriore.