Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” në Prishtinë.
Në komunikatën për media të PK-së thuhet se dy të dyshuarve iu kanë konfiskuar mbi 40 paketime me substancë narkotike të dyshuar kokainë.
Policia theksoi se po ashtu gjatë kontrollimi të banesës te njëri i dyshuar kanë gjetur:
- Një armë zjarri,
- Një karikator
- 15 – fishekë,
- 2 – peshore digjitale që shërbejnë për matje në sasi të vogla.
“Me datë 28.04.2024, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik- Prishtinë ka realizuar një operacion policor të koduar ‘pesëshi’ ku fillimisht në Prishtinë është ndaluar një veturë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit të tij, në trup i janë gjetur para të gatshme me vlerë 2790 euro, një telefon celular, ndërsa gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur 22-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë, e gatshme për shitje me peshë 83 gram.
Në vazhdën e operacionit është bërë po ashtu kontrollimi i një garazhe dhe gjatë kontrollit të saj aty ndodhej një veturë me targa vendore pronë e njërit nga të dyshuarit, ku në pjesën e brendshme të saj janë gjetur edhe 23-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë e gatshme për shitje me peshë 133 gram”, vijon njoftimi i PK-së.