Liberalizimi i vizave dhe mbështetja për kandidim të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, kanë qenë dy gjërat kryesore të cilat presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka diskutuar në ditën e parë të “Forumin e Prespës për Dialog” që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka thënë se kriteret në këtë aspekt Kosova i ka plotësuar shumë kohë më parë, e të cilat edhe janë rikonfirmuar dhe nuk varen.
‘’Përderisa, kjo çështje është në vullnetin individual të shteteve anëtare veç e veç, përgjigjen përfundimtare ta jep Kosova, pasi që ka shumë aspekte që merren parasysh për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, por asnjëra nuk ka të bëjë me kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova sepse janë plotësuar shumë kohë më parë dhe janë rikonfirmuar, madje edhe në sundimin e ligjit’’, ka deklaruar në një intervistë për RTV Dukagjinin, presidentja Osmani.
Presidentja ka shtuar se kjo çështje ka mbetur pezull për shkak të dy tri shteteve anëtare, të cilat vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme dhe e cilëson mesazhin e 23 qershorit si mjaft të rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundojë.
‘’Nuk ka kërkesa më dhe pyetje për Kosovën, në fakt çështja ka mbetur te 2-3 shtete anëtare, që vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme, pra, insistimi ynë është që të diskutohet për liberalizimin e vizave, por mos të harrojmë që vendimi për këtë liberalizim merret në një votim në format tjetër të Këshillit ku votojnë ministrat e brendshëm dhe jo në formatin që do të takohet me 23 qershor. Megjithatë, mesazhi i 23 qershorit mund të jetë shumë i rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundonte’’, ka theksuar Osmani.
Gjithashtu, ajo ka thënë se përpos përkrahjes së shteteve tjera anëtarë dhe më të fuqishme të BE-së, ka vende tjera që nuk japin pergjigjen përfundimtare sa i përket kësaj çështjeje.
‘’Kemi marrë përkrahjen e fuqishme dhe publike të dy shteteve si Kroacia dhe Sllovenia, shtetet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, si shtetet më të fuqishme të BE-së, jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shtetet anëtare por ka vende të tjera që akoma nuk jepin përgjigjen përfundimtare çfarë kahje do të japin’’, ka thënë presidentja Osmani.