Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.
“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit në Beograd”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë thirrje edhe një herë që Serbia t’i hapë arkivat shtetërore.
Kurti ka thënë se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”.
Ai ka përmendur se Serbia obligohet për hapje të arkivave edhe përmes një marrëveshjeje të arritur për këtë çështje, më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel.
Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për trajtim të secilës informatë që kontribuon në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Sipas tij, tashmë janë adresuar 13 lokacione brenda territorit të Kosovës “në kuptim të gërmimit vlerësues”.
“Familjet e të zhdukurve i kemi lart edhe mes prioriteteve e në përkujdesje të Qeverisë”, ka thënë mes tjerash Kurti.